Qarkullimi me letërnjoftime Kosovë-Maqedoni ka nisur nga mesnata

kufiri-maq-kos-8766Nga sot qytetarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, do të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim, duke përmbushur kështu edhe një detyrim të BE-së për lëvizje të lirë.

Sot do të mbahet ceremonia solemne me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.

Ceremonia do të mbahet në hapësirën ndërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Elezit dhe Bllacës.

Pengesa e vetme që pengonte një bashkëpunim të tillë deri më tani, ishte mungesa e dokumenteve biometrike tek qytetarët e Kosovës.

Maqedonia ka firmosur një marrëveshje të njëjtë edhe me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, qytetarët e të cilëve mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime. Po ashtu edhe Kosova kishte marrëveshje me të tri këto shtete për lëvizje vetëm me letërnjoftim, përveç me Maqedoninë.

Shekulli Agency