Shifrat e tregtisë së jashtme të Turqisë në gusht 2016

exp-543333Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me importin dhe eksportin e realizuar nga Turqia në muajin gusht 2016…

Shtetet e industrializuara dhe ato në zhvillim e sipër synojnë të fitojnë të ardhura në valutë dhe të rrisin ekonomitë e tyre duke u shitur shteteve të tjera mallrat dhe shërbimet, që kanë prodhuar. Eksporti në ekonomi nënkupton transportimin e të mirave materiale ose shërbimeve nga një vend në një tjetër në mënyrë legjitime, sipas rregullave dhe standardeve të vendeve pjesëmarrëse në një ndërrim mallrash ose të mirash. Eksportimi i mallrave bëhet drejt konsumatorëve të huaj në një shtet tjetër nga ai prodhues i atyre mallrave. Ndryshe nga eksporti, që nënkupton daljen e mallrave nga një vend drejt një tjetri, importi nënkupton të mirat materiale apo shërbimet, të cilat hyjnë nga një vend në një tjetër. Kurse totali i sasisë së import-eksportit të një vendi pasqyron vëllimin e tregtisë së jashtme të tij. Në rast se vlera e mallrave të eksportuara (të këmbyera për valuta) është më e madhe sesa vlera e mallrave të importuara, atëherë kemi të bëjmë me suficit tregtar. Por nëse vlera e mallrave të eksportuara (të këmbyera për valuta) është më e vogël sesa ajo e mallrave të importuara, atëherë ky është një raport negativ dhe kemi të bëjmë me deficit tregtar.

Zhvillimi i tregtisë së jashtme kontribuon në ekonominë e një vendi përmes shumë kanaleve. Ç’është më e rëndësishmja, blerja e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për një vend me çmime të arsyeshme nga tregjet e lira jashtë shtetit paraqet avantazhe të ndryshme jo vetëm për investitorët, por edhe për familjet. Gjithashtu mundëson që vendi të shfrytëzojë në mënyrë më efikase kapitalin, fuqinë punëtore, burimet natyrore dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm të prodhimit. Vetë rritja e nivelit të eksportit siguron një hyrje më të madhe të valutës në vend dhe hyrja e valutës kontribuon në shtimin e likuiditetit, në reduktimin e normave të interesit dhe në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve brenda vendit. Ndërsa normat e ulëta të interesit u japin shansin sipërmarrësve për marrë kredi të buta dhe për të bërë investime të reja.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, që njihen gjerësisht si G20. Me një popullsi rreth 80 milionë banorë, Turqia është një ndër vendet me import-eksport të lartë. Falë popullsisë së re në moshë dhe dinamike, ky vend ka arritur një nivel prodhimi të lartë, që në 15 vitet e fundit ka sjellë rrjedhimisht edhe shumëfishimin e shifrave të eksportit. Zërat e eksportit turk formojnë një gamë mjaft të gjerë duke filluar që nga automobilistika dhe industria e armëve, e deri tek energjia dhe produktet bujqësore.

Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) publikoi pak ditë më parë shifrat e tregtisë së jashtme turke për muajin gusht 2016. Sipas këtyre statistikave të përkohshme, që janë hartuar me punën e përbashkët të TUIK dhe Ministrisë së Doganave e Tregtisë, eksporti i Turqisë në gusht të këtij viti është rritur me 7,7% në krahasim me të njëjtin muaj të 2015-s, për një shumë prej 11,9 miliardë dollarësh. Ndërsa importi turk në gusht të 2016-s ka shënuar një rritje me 3,7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 16,5 miliardë dollarë. Sa i përket deficitit tregtar të Turqisë, në gusht 2016 është regjistruar një rënie me 5,3%, që e përkthyer në shifra do të thotë 4 miliardë e 687 milionë dollarë amerikanë. Destinacioni kryesor i eksportit turk në muajin e tetë të këtij viti rezulton të jetë Gjermania me 1 miliard e 193 milionë dollarë, e pasuar nga Britania e Madhe me 921 milionë dollarë, Iraku me 708 milionë dollarë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 606 milionë dollarë.

Si përfundim, falë ekonomisë së saj në zhvillim dhe tregtisë së jashtme vjetore që shkon deri në 400-450 miliardë dollarë, Turqia renditet mes 20 ekonomive më të fuqishme në botë. Në 15 vitet e fundit, vëllimi i tregtisë së jashtme turke ka kapërcyer pragun e 400 miliardë dollarëve, nga 82 miliardë dollarë që ishte më parë. Pjesa e tregtisë së jashtme në PBB-në e vendit është rritur në 48%, nga 37% që ishte më shumë se një dekadë më parë. Objektivi primar i ekonomisë turke në zhvillim deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të republikës, është të realizojë së paku 500 miliardë dollarë eksport në vit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë, eksporti turk në gusht të këtij viti është rritur me 7,7% në krahasim me të njëjtin muaj të 2015-s, për një shumë prej 11,9 miliardë dollarësh. Ndërsa importi turk në gusht të 2016-s ka shënuar një rritje me 3,7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 16,5 miliardë dollarë. Për realizimin e këtij objektivi jubilar, qeveria turke ka hartuar edhe një sërë paketash stimuluese. Në këtë kontekst, rritja e nivelit të eksportit do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin e ekonomisë, në reduktimin e papunësisë dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli – Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk”, Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Shekulli Agency