Muslimanët e vendit që përbëhen nga shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe komunitetet e tjera duhet të veprojnë së bashku për një Maqedoni më të fortë, tha Resat Çimsöken
Kryetari i Federatës së Shoqatave të Rumelisë (RUMELIFED), Resat Çimsöken, në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni që do të mbahen më 11 dhjetor ka thënë se muslimanët e vendit që përbëhen nga shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe komunitetet e tjera e që janë faktorë esencialë në vend, duhet të veprojnë së bashku për një Maqedoni më të fortë dhe më të begattë.
Në deklaratën e dhënë për gazetarin e AA-së, Çimsöken tha se dëshirojnë që pas zgjedhjeve të katërta të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni, ku për herë të parë zgjedhjet shumëpartiake u mbajtën në vitin 1990, të formohet një qeveri e cila do ta çojë vendin drejt stabilitetit në aspektin ekonomik, shoqëror dhe kulturor.
Çimsöken tha se federata të cilën ai e drejton deri më tani nuk ka marrë pjesë në anën e asnjë partie. Ai tha se urojnë rezultatin më të mirë për Maqedoninë. “Do ta respektojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe se do të jemi në kontakt të afërt me partnerët e vendit për t’i forcuar edhe më tej lidhjet mes dy shteteve”, theksoi Çimsöken.
Duke rikujtuar se Maqedonia dhe Turqia kanë lidhje historike, Çimsöken tha se “Jemi gjithnjë në anën e Maqedonisë. Pas katastrofës së përmbytjeve që ndodhi muajt e kaluar, ne dhamë mbështetje serioze me udhëzimin e kryebashkiakut të Bursës, Recep Altepe. Këtë mbështetje e dhamë pa pritur asnjë kundërshpërblim”.
Ai tha se miqtë duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin pa pritur asnjë kundërshpërblim.
“Ne e shohim Ballkanin si trashëgimi e të parëve tanë. Ne nuk i ndajmë nga njëra-tjetrën Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë, Kroacinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit. Të gjitha kanë vlerën e njëjtë për ne. Problemet që ndodhin në këto vende ne i ndiejmë thellësisht. Ndërkaq, në zhvillimet e mira ne gëzohemi të paktën sa ata. Për një Maqedoni më të fortë dhe më të begattë, muslimanët e vendit që përbëhen nga shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe komunitetet e tjera e që janë faktorë esencialë në vend, duhet të veprojnë së bashku. Kjo është dëshira jonë e vetme. Lusim Zotin që pas zgjedhjeve në Maqedoni të vijë një qeveri e cila do t’i përfaqësojë të gjithë pjesëtarët e Maqedonisë dhe e cila do ta çojë vendin në ditë më të mira”, theksoi Çimsöken.

