Shqipëri, opozita protesta me mosbindje civile

Partitë opozitare në Shqipëri në disa qytete dhe akse rrugore të vendit kanë organizuar protesta të “mosbindjes civile”, duke kundërshtuar tarifat për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit” dhe sipas tyre për largimin e qytetarëve nga skema e ndihmës ekonomike.

Nën organizimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), qytetarët kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në akset rrugore në Vorë të Qarkut të Tiranës, në Bradashesh të Elbasanit, në Milot, dhe në Çermë të Lushnjes.

Në protesta ka patur dhe tensione, pasi drejtuesit e automjeteve dhe forcat e policisë kanë kundërshtuar bllokimin e akseve rrugore.

Për protestat që vazhdojnë me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ku thekson se policia nuk ka marrë njoftim ligjor për protestat.

Protestës në Vorë i është bashkuar edhe lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Shekulli Agency