Rritet në 27 numri i dëshmorëve palestinezë nga sulmet izraelite në Gaza

Numri i palestinezëve të rënë dëshmorë nga sulmet ushtarake dyditore të Izraelit në Rripin e Gazës është rritur në 27, pasi dy trupa të tjerë u nxorrën nga rrënojat, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton AA.

“Dy trupat u përkasin dëshmorëve Talal Attiya Abu al-Jidian dhe gruas së tij, Raghda Mohamed Abu al-Jidian, të cilët u vranë në shtëpinë e tyre në veri të Gazës të dielën nga një sulm izraelit”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qidra në një deklaratë.

Të shtunën dhe të dielën, ushtria izraelite sulmoi enklavën bregdetare me sulme ajrore dhe bombardime artilerike, ndërsa fraksionet e rezistencës në Gaza u përgjigjën duke shkrepur raketa drejt Izraelit jugor.

Dhuna përfundoi mëngjesin e sotëm, kur një armëpushim, kushtet e sakta të të cilit mbeten të paqarta, hyri në fuqi.

Sipas al-Qidras, 177 palestinezë në Gaza janë plagosur nga sulmi.

Ndërkohë, mediat izraelite kanë raportuar se katër izraelitë janë vrarë gjatë tensioneve dyditore dhe 130 të tjerë janë plagosur.

Shekulli Agency