Çavusoglu takohet me homologun kosovar Pacolli

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu është takuar me Ministrin e Jashtëm në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli, raporton AA.

Çavuşoğlu dhe Pacolli janë takuar në margjinat e Forumit të 14-të Strategjik të Bledit, i cili organizohet në mikëpritjen e Sllovenisë, ndërsa Çavuşoğlu i ka uruar homologut të tij sukses gjatë kryesimit të Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

“U takuam me ministrin e jashtëm të shtetit vëlla të Kosovës, Behgjet Pacollin. I urojmë sukses gjatë kryesimit të SEECP”, shkroi kryediplomati turk në rrjetin social Twitter pas takimit.

Kosova zyrtarisht e mori kryesimin e SEECP më 15 korrik të këtij viti, ndërsa kuadrit të SEECP-së për bashkëpunim rajonal iu bashkua në Samitin e Parisit në vitin 2014.

Ndërkohë, Forumi i 14-të Strategjik i Bledit i cili filloi sot me pjesëmarrjen e liderëve rajonal do të përfundojë nesër.

Shekulli Agency