Demonstruesit protestojnë kundër presidentit francez gjatë samitit të BE-së

Disa qindra njerëz organizuan një protestë kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel.

Protestuesit u tubuan para ndërtesës së Këshillit Evropian (KE), ku krerët e BE-së po diskutonin për fondin e rimëkëmbjes së bllokut nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe buxhetin e ardhshëm afatgjatë. 

Demonstruesit mbanin flamuj kamerunian, si dhe parulla që dënonin kolonializmin francez dhe komentet e fundit të presidentit Macron për situatën e të drejtave të njeriut në Kamerun. 

Duke iu referuar të kaluarës koloniale të Kamerunit, ata thirrnin parulla që i quanin francezët “vrasës” dhe “kriminelë”. 

Policia belge ndërhyri me bombola gazi pasi disa nga protestuesit u përpoqën të kalojnë pengesat përreth ndërtesës. Disa u arrestuan. 

Në muajin shkurt, presidenti francez i quajti shkeljet e të drejtave të njeriut në Kamerun “të patolerueshme” kur gjatë një ngjarjeje publike një aktivist pyeti mendimin e tij për zhvillimet e fundit mbi një kryengritje separiste në vendin e Afrikës Qendrore. 

Macron po i referohej një sulmi në të cilin të paktën 22 fshatarë u vranë nga një milici dhe premtoi se do të thërriste presidentin e vendit, Paul Biya. 

Komentet e tij ngjallën zemërim në Kamerun, vend i cili fitoi pavarësinë e saj nga Franca në vitin 1960. 

Disa mijëra kamerunasë vlerësohet se kanë humbur jetën gjatë luftës së pavarësisë me forcat franceze. 

Muajin e kaluar, dhjetëra mijëra dolën në të gjithë Evropën për të shprehur solidaritet me protestat “Black Lives Matter” në SHBA dhe sfiduan të kaluarën kolonialiste të vendeve evropiane.

Shekulli Agency