BE përgatit plan të ri emergjent për ndarjen pa marrëveshje të Britanisë

Bashkimi Evropian (BE), përgatiti plan të ri të situatës emergjente nëse nuk arrihet marrëveshja e tregtisë me Britaninë deri në fund të vitit.

Komisioni i BE-së, publikoi planin e situatës emergjente të përgatitur për shkak të rritjes së mundësisë për largimin pa marrëveshje të Britanisë e cila u largua nga BE-ja me 31 janar dhe për të cilën zbatohet procesi i tranzicionit deri në përfundim të vitit më 31 dhjetor.

Palët do të vazhdojnë trafikun reciprok tokësor dhe ajror për 6 muaj, sipas planit të përgatitur për shkak të rritjes së mundësisë për mos sigurimin e dakordimit në negociatat për marrëveshjen e cila do të përcaktojë tregtinë dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Britanisë.

Edhe peshkatarët do të vazhdojnë aktivitetet në ujërat e njëri-tjetrit deri më 31 dhjetor 2021 ose deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Pavarësisht se ka paqartësi të konsiderueshme, gjatë këtij procesi Komisioni i BE-së, do të vazhdojë punimet për të kryer një marrëveshje tregtare me Britaninë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, nuk arritën marrëveshje në negociatat e mbajtura dje në Bruksel lidhur me marrëveshjen që do të formësojë tregtinë dhe marrëdhëniet në të ardhmen.

Palët kanë njoftuar se negociatat do të vazhdojnë deri ditën e diel, por që ende mes tyre ka ndryshime të mëdha mendimesh.

Procesi i Brexit-it 

Në Mbretërinë e Bashkuar e cila përbëhet nga Anglia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia, vendimi për Brexit-in u mor me 52 për qind pro dhe 48 për qind kundër në referendumin që u mbajt në qershor 2016.

Britania u largua zyrtarisht nga BE-ja më 31 janar të këtij viti, por është duke zhvilluar bisedime të gjera me Unionin mbi marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht tregtinë.

“Sigurimi i konkurrencës së ndershme”, “zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare” dhe “të drejtat e peshkimit” janë çështje problematike në bisedimet në vazhdim mes BE-së dhe Britanisë.

Nëse mes dy palëve nuk do të mund të arrihet një marrëveshje, pas 31 dhjetorit marrëdhëniet tregtare do të vazhdojnë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit e deri në këtë periudhë Britania vazhdon t’u përmbahet rregullave të BE-së.

Shekulli Agency