Kosovë/Opozita nuk lejohet të dorëzojë në Kuvend peticionin kundër Asociacionit

opozitaKryetarët e partive të opozitës nuk u lejuan të dorëzojnë sot në Kuvend dosjet e peticionit kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi, të nënshkruar nga qytetarët kosovarë.

Në një konferencë për shtyp në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deklaruan se ky peticion do t’i dërgohet të gjitha institucioneve në Kosovë, por edhe atyre ndërkombëtare.

Kryetarët e partive opozitare bënë të ditur se janë mbi 200 mijë nënshkrime, që dëshmojnë që qytetarët kosovarë janë kundër marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës u penguan nga sigurimi i Kuvendit për të hyrë në ambientet e kuvendit për dorëzimin e peticionit kundër Asociacionit dhe Demarkacionit, por më pas, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj së bashku me deputetët e tjerë e futën materialin me forcë dhe më pas u mbajt edhe konferenca e paralajmëruar.

“Është e tepruar të tentohet të mos lejohet ky material të hyje në Kuvend sepse ky është një peticion i nënshkruar nga mbi 200 mijë qytetarë”, tha Haradinaj.

“Kadri Veseli dha urdhër që deputetëve të opozitës të mos u lejohet mbajtja e një konference për medie në sallat e Kuvendit. Kadri Veseli dha urdhër që të mos lejohet futja në Kuvend e dokumenteve që përmbanin mbi 200,000 nënshkrimet e qytetarëve kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në një komunikatë të VV, e cila shton se kreu i Kuvendit nuk dëshiron opozitën në sallën e parlamentit dhe shpërfill një peticion të firmosur nga më shumë se 200 mijë qytetarë të Kosovës. /KosovaPress

Shekulli Agency