Antari i Këshilit Nismëtar të Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, ka kritikuar ashpër idenë e BDI-së për një marrëveshje të re, e ngjashme me atë të Marrëveshjs së Ohrit. Ai në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se BDI po e aktualizon një ide pastër elektorale, për gjoja imponimin e një marrëveshje të re, që qenka si Marrëveshja e Ohrit.
“Një herë duhet ta themi hapur e pa doreza se kur nuk na ka ngrohur dielli i mëngjesit, askush më nuk shpreson në diellin e muzgut. Ata që e nëpërkëmbën Marrëveshjen e Ohrit, me gjithë atë asistencë ndërkombëtare, as që munden, as që duan e as që dinë ta bëjnë atë sot. Impotenca e tyre politike është bërë krejt e qartë pas publikimit të përgjimeve. Ata të vetmen gjë që mund ta bëjnë mirë është ta shesin mirë vullnetin e shqiptarëve, të kontrabanduar e të vjedhur me zgjedhje, që me atë kapital ta shpëtojnë veten e tyre, familjarët e tyre, si edhe klanet e tyre nga koritja, përndjekja penale dhe diskreditimi në opinion”, ka shkruar Ibrahimi në profilin e tij në Facebook.
Sipas Ibrahimit, secila ofertë e BDI-së është vetëm një mashtrim parazgjedhor, që ashtu t’i manipulojnë edhe një herë shqiptarët e Maqedonisë dhe ashtu ta gëlltisin edhe një mandat.
“Por, kësaj radhe manipulimi nuk kalon. Këtu është fundi. Jo marrëveshje të re, por edhe sikur përsëri t’i marrin armët dhe të dalin në mal, për t’i bindur shqiptarët se po mbrojnë interesa shqiptare, atyre më askush nuk u beson. Sepse, të gënjesh një herë, kjo është aftësi e gënjeshtarit, por të gënjesh për së dyti, kjo është dobësi e të gënjyerit. Kjo nuk kalon më! Në të vërtetë, ata janë bërë si ajo nusja që i ka ditët e numëruara dhe që pritet të ikë nga shtëpia e saj”, ka përfunduar Zeqirija Ibrahimi.

