Peticioni me 205 254 nënshkrime kundër formimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, i është dorëzuar sot presidentes Atifete Jahjaga.
Përfaqësuesit e tri partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, pas dorëzimit të peticionit kreut të Shtetit, thanë se i kanë kërkuar asaj që ta përfaqësojë unitetin e popullit, sikur e parasheh dhe detyra e saj.
Kriza politike në të cilën ka hyrë Kosova duhet shikuar nga rrënjët e saj, edhe nga presidentja, që është vënia e nënshkrimit në dy marrëveshjet me Serbinë, tha Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, në një deklaratë për medie.
Ai tha se kurrë nuk është vonë që t’i japin edhe një shans presidentes. “Ajo mund të thotë që peticioni i 200 mijë qytetarëve dhe të dalë para pushtetit të kërkojë që të shqyrtojnë marrëveshjet. Presidentja duke pasur peticionin në dorë që është argument i fuqishëm tregon në një masë e madhe e qytetarëve mendojnë që marrëveshjet janë të dëmshme”, tha Konjufca.
Sipas tij, “ajo qeveri që ka guxim të anashkalojë zërin e 200 mijë qytetarëve dhe ka kurajo të mos i marrë në konsiderata, duhet të sfidohet nga posti i presidentes së Kosovës”.
“Nëse kërkesat e popullit hasin në vesh të shurdhur të qeverisë, atëherë presidentja duhet të dalë në anën e qytetarëve”, tha Konjufca.
Sipas opozitës, peticioni kundër dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandër Vuçiq, është nënshkruar nga 205 254 qytetarë.
Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se kriza politike në vend i ka rrënjët në dy marrëveshjet dhe injorimi që po iu bëhet kërkesave të opozitës.
Image
“Këto peticione kalojnë mbi suazat e partive politike, sepse vendi është në rrezik dhe qytetarët me 200 mijë nënshkrime e kanë dëshmuar këtë. Ne jemi të vendosur që me të gjitha mjete demokratike t’i kundërshtojmë këto marrëveshje që janë në dëm të vendit. Kërkojmë nga presidentja, kryeministri, e kryeparlamentari ta marrin më seriozisht këtë peticion”, theksoi ai.
Shefja e Grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se presin që të merren seriozisht kërkesat e qytetarëve.
“Ne sot dorëzuam peticionin tek presidentja dhe arsye pse e dorëzuam vetëm te ajo është se ajo përfaqëson unitetin e qytetarëve dhe do t’i ketë parasysh kërkesat e qytetarëve”, theksoi ajo.
Ajo, po ashtu, përshëndeti “reflektimin pozitiv” nga ana e kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ka vendosur që këtë javë të mos ketë seancë të Kuvendit. Ajo theksoi se seanca nuk duhet të ketë deri në tërheqjen e nënshkrimeve.
Folderët voluminozë me nënshkrimet e peticionit janë futur aparatin skenues. Fillimisht, sigurimi nuk ka dashur të lejojë gazetarët dhe kameramanët të futen në ndërtesën e Kuvendit, për shkak se siç kanë thënë ata, nuk ka pasur njoftim zyrtar të presidencës për pranimin e këtij peticioni.
Por, më vonë përfaqësuesit e medieve janë lejuar brenda.

