Davutoglu: Do ndëshkojmë ashpër çdo kërcënim në tokat e Turqisë

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka deklaruar të enjten se ushtria turke në dy ditët e fundit ka kryer sulme të shumta mbi pozicionet e organizatës terroriste DAESH në Siri dhe Irak, duke vrarë rreth 200 terroristë.

davudoglu“Pasi u konstatua se pas sulmit brutal në Stamboll qëndron DAESH-i, kemi urdhëruar Forcat e Armatosura që të kryejnë sulme mbi pozicionet e organizatës terroriste në Siri dhe Irak. Në rreth 48 orë, kemi kryer rreth 500 sulme me tanke, topa dhe sulme të tjera mbi fortesat dhe strehimoret e DAESH-it në Bashika në Irak dhe përgjatë kufirit tonë në Siri. Janë asgjësuar rreth 200 pjesëtarë të DAESH-it dhe në mesin e tyre ka disa udhëheqës të këtyre rajoneve të vetëshpallura”, tha Davutoglu.

Shefi i Ankarasë zyrtare theksoi që “Turqia ka dërguar një mesazh, se tani e tutje ndaj çfarëdo kërcënimi ndaj qytetarëve dhe turistëve të saj do të kundërpërgjigjet me ndëshkime të ashpra”.

Davutoglu gjithashtu tha se “organizata terroriste DAESH duhet të shihet si kërcënim për të gjithë njerëzit e shtypur, duke përfshirë edhe refugjatët nga Siria”, ndërsa shtoi se “është e gabuar që të gjithë myslimanët në botë të trajtohen si kërcënim potencial, sepse në fakt ky është qëllimi që kërkojnë të arrijnë terroristët, të cilët po keqpërdorin fenë”.

Shekulli Agency