Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se ky takim do të shërbejë si një platformë e dialogut politik mes qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare.
Sekretariati i Kartës së Energjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Organizatën e Bashkimit për Mesdheun zhvilluan sot në Tiranë, takimin e katërt ndërkombëtar në nivel ekspertësh, me temë “Tranzitimi i sigurt dhe i qëndrueshëm i energjisë”.
Në panelin e parë të tryezës ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Sekretariatit të Kartës së Energjisë, Kanat Botbaev, ai i Bashkimit për Mesdheun, Jorge Borrego dhe ambasadorja e Holandës në Tiranë, Dewi van de Weerd.
“Ky takim vjen në një moment vendimtar, kur krizat gjeopolitike komplekse rrezikojnë sigurinë energjetike dhe po kërcënojnë të krijojnë pasoja afatgjata në sigurinë energjetike të Evropës dhe vendeve të Mesdheut. Fakti që Bashkimi Evropian ka vendosur në krye të axhendës së tij diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të energjisë është absolutisht shumë i rëndësishëm. Krijimi i Korridorit Jugor të energjisë është një hallkë kyçe në strategjinë evropiane për eliminimin e varësisë energjetike nga rajone gjeopolitikisht të paqëndrueshme. Por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të thuhet se siguria energjetike në Bashkimin Evropian nuk mund të realizohet pa garantuar një Mesdhe të qëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht, nga ku kalojnë 65 për qind e rrugëve të naftës dhe gazit për Evropën”, u shpreh Rama.
Sipas organizatorëve ky takim shërben si një platformë diskutimi për tranzitimin e energjisë në nivel global e rajonal në funksion të sigurisë energjetike dhe integrimit të tregjeve të Bashkimit Evropian e në veçanti mes vendeve të Mesdheut.
Ndërkohë 52 shtete të Evropës dhe Azisë kanë nënshkruar Traktatin e Kartës së Energjisë.
